Blog

11 Tipare të mendësisë së sipërmarrësve të suksesshëm

11 Tipare të mendësisë së sipërmarrësve të suksesshëm

Po jetojmë kohën kur teknologjia po ecën shumë shpejt, duke nxitur ofrimin e produkteve dhe shërbimeve të reja, e shoqëruar kjo me hapjen e shumë nismave të reja në biznes. Një ide e re apo një produkt i ri mund të jetë një burim i mirë për të shkëlqyer në biznes e në jetë. Por në fakt, jo shpesh ndodh kështu. Sipas statistikave të fundit rreth 90% e nismave të reja, në pothuajse të gjitha industritë dështojnë: rreth 10% që vitin e parë dhe 80% deri në vitin e shtatë. Themeluesit e nismave të reja kanë vetëm 18% shkallë suksesi. Ndërsa ideja ose produkti mund të jenë shumë të mira, ndoshta dështimi mund të vijë nga mendësia sipërmarrëse. Disa tipare të mendësisë sipërmarrëse, të nevojshme për sukses i gjeni në shkrimin këtu, me autor Kate Hancock. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Nëse ka një gjë thelbësore që na mësoi pandemia, është kjo që nuk ka siguri për kohën që jemi të punësuar. Unë kam parë kompani të mbyllen, ndërsa të tjerë u detyruan të largonin punonjësit e tyre më të vlefshëm për ta mbajtur kompaninë gjallë.

Por në të njëjtën kohë, të jeni i pavarur dhe të hapni biznesin tuaj është më shumë sesa thjesht të thoni "Unë drejtoj biznesin tim dhe jam shefi i vetes". Ju duhet të keni atë mendësi sipërmarrësi, që do t'ju lejojë të keni sukses në këto kohë dhe në moshën tuaj.

Dhe jo, ju nuk keni nevojë të diplomoheni nga një shkollë biznesi me emër ose të merrni pjesë në seminare dhe konferenca për të pasur mendësinë e rritjes. Ju vetëm duhet të reflektoni dhe të njihni, së pari, veten.

Si e dini nëse e keni mendësinë sipërmarrëse për të qenë një sipërmarrës i suksesshëm? Nëse keni më shumë se një nga këto aftësi të trajtuara më poshtë, atëherë mund ta keni atë.

1. Aftësia për të mbajtur një qëndrim pozitiv

Kur bëhet fjalë për drejtimin e një biznesi të suksesshëm, ia vlen të keni një qëndrim pozitiv. Mënyra se si veproni rreth sfidave dhe pengesave do të reflektojë në mënyrën se si bëni biznes. Kjo gjithashtu ndikon në mënyrën se si punonjësit tuaj do t'ju shohin.

Nëse nguroni në momentin kur përballeni me një pengesë, punonjësit tuaj dhe njerëzit përreth jush nuk do të kenë aq shumë besim tek ju. Të keni një qëndrim pozitiv ju lejon të trajtoni problemet dhe pengesat ballë për ballë, pa gjykimin e turbullt të shkaktuar nga emocionet negative.

2. Hapja ndaj çdo gjëje

Drejtimi i një biznesi është i paparashikueshëm, ashtu si jeta. Duhet të përgatiteni për atë që do të vijë, edhe nëse mendoni se situata të caktuara nuk ka gjasa të ndodhin. Si një sipërmarrës i ri, ju duhet të jeni në gjendje të merrni gjithçka me hapa të shpejtë dhe të përballeni me situatat. Në sipërmarrje, ju duhet të jeni në gjendje të përshtateni me mjedisin në ndryshim të biznesit. Për shembull, gjatë pandemisë, shumë biznese patën idenë dhe aftësinë për të kaluar biznesin në internet, e për të vazhduar shitjen e produkteve aty.

3. Kurioziteti i një fëmije

Bizneset funksionojnë në forma e mënyra të ndërlikuara dhe është gjithmonë çudi të shohësh se si funksionojnë pjesë të ndryshme të biznesit. Kur shikoni se si funksionojnë gjërat dhe përdorni të menduarit kritik për t'i parë gjërat nga një këndvështrim tjetër, ju prireni të bëheni kureshtarë dhe të interesuar. Ky kuriozitet dhe kjo ndjesi kureshtje do t'ju lejojë të gjeni zgjidhje të ndryshme për problemet dhe gabimet e biznesit tuaj, edhe para se ato të ndodhin.

4. Bindja ju vjen natyrshëm

Të jeni në gjendje të bindni njerëzit që të blejnë produktet tuaja është një gjë, por të bindni punonjësit që zgjidhjet tuaja krijuese janë efektive është një tjetër gjë.

Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që çdo sipërmarrës të ketë aftësinë për të bindur njerëzit, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një shitje apo për të propozuar një zgjidhje për një problem. E qartë besoj, çelësi për të bindur njerëzit është të jeni një komunikues efektiv dhe është më shumë sesa thjesht t’ia thoni njerëzve.

Kur je një komunikues efektiv, ju e dini se si ta përcillni mendimin apo idenë tuaj. Ju e dini se si ta dërgoni mesazhin tuaj në më shumë se një platformë, qoftë në faqen tuaj të mediave sociale, kanalin tuaj në YouTube apo edhe në blogun tuaj.

5. Jeni krijues

Në përputhje me zgjidhjen e problemeve vjen aftësia juaj për të gjetur mënyra për të zgjidhur një problem nga më shumë se një këndvështrim. Por kreativiteti është gjithashtu një faktor i rëndësishëm në mënyrën se si ju inovoni produktet dhe shërbimet tuaja.

Kur sipërmarrësit janë krijues, ata shkojnë përtej asaj që duan të shesin ose asaj që duan të zgjidhin. Mos harroni, disa nga bizneset dhe kompanitë më të suksesshme në botë nuk filluan vetëm nga një produkt.

6. Jeni të vetë-motivuar

Të jeni një punëtor i palodhur nuk mjafton, por si sipërmarrës, duhet të jeni i vetë-motivuar edhe kur gjithçka duket se po shkon keq. Vetë-motivimi ndikohet gjithashtu nga mendimi juaj pozitiv sipërmarrës. Sa më shumë të mendoni se mund ta përballoni problemin, aq më lehtë është për ju të motivoni veten.

7. Elasticiteti dhe këmbëngulja

Çdo biznes kalon në periudha vështirësish dhe dështimesh, veçanërisht në kohë të pazakonta si pandemia globale. Gjithmonë do të ketë ditë ku gjithçka duket si fundi, por nëse mendoni të hiqni dorë - mos e bëni.

Merrni kohë për të pushuar, për t'u rimbushur dhe për t'u ringritur në këmbë, për të provuar edhe një herë. Këmbëngulja dhe qëndrueshmëria përballë vështirësive janë dy forcat tuaja më të mëdha shtytëse për të pasur sukses në çdo industri. Historia e biznesit na jep plot shembuj të liderëve sipërmarrës që nëse do të hiqnin dorë në ndonjë moment të procesit të tyre sipërmarrës, nuk do të ishin emrat e njohur që janë tani.

8. Marrja në pronësi e gjithçkaje që ndodh

Përgjegjshmëria është shpesh një tipar që injorohet ose harrohet nga shumë pronarë biznesi. Si pronar biznesi, ju duhet të kuptoni se gjithçka është dhe do të jetë faji juaj.

Jeni ju që do të jepni sinjalin për të bërë këtë dhe atë. Jeni ju që do të vendosni se çfarë të bëni dhe çfarë jo.

Pronësia e veprimeve tuaja do të thotë që ju jo vetëm që po merrni në zotërim biznesin, por edhe përgjegjësitë që vijnë së bashku me të. Kjo ju shtyn ta bëni biznesin tuaj më të suksesshëm.

9. Pranueshmëria ndaj çdo gjëje

Është e vështirë të bindni njerëzit për vizionin dhe idenë për biznesin tuaj, por është tjetër gjë të jeni pranues ndaj ideve të njerëzve të tjerë. Si një sipërmarrës, ju duhet të jeni të hapur ndaj reagimeve dhe kritikave për biznesin tuaj.

Një sipërmarrës i mirë është gjithmonë i hapur ndaj ideve dhe kritikave të reja, sepse ata duan që biznesi të ketë sukses. Ata nuk do t'i kuptojnë gjithmonë gjërat vetë, kështu që ia vlen të keni disa njerëz nga jashtë që kërkojnë të japin komente.

10. Pasioni

Unë kurrë nuk kam takuar një pronar biznesi që nuk është i pasionuar pas biznesit të tij. Në këtë kohë dhe epokë, gjithçka ka të bëjë me aftësinë për të ndihmuar njerëzit dhe për të bërë një ndryshim në jetën e tyre. Kur jeni të pasionuar, jeni vërtet të motivuar për të gjetur zgjidhje dhe ide për industrinë tuaj dhe për njerëzit përreth jush.

Kur biznesi juaj ndërtohet rreth pasionit, atëherë ai do të vazhdojë ta përdorë atë si karburant për të ecur përpara. Për sa kohë që jeni të detyruar t'i bëni gjërat të funksionojnë në mënyrë që të ndiqni kauzën më të madhe, biznesi juaj duhet të funksionojë mirë.

11. Aftësia për ta vënë veten në vendin e një personi tjetër

Empatia është shpesh një tipar që anashkalohet nga pronarët e bizneseve. Kam takuar një pjesë të vogël të tyre që nuk e dinë vërtet se çfarë ndodhte brenda fuqisë së tyre punëtore, sepse nuk shpenzojnë kohë për ta bërë këtë.

Më kujtohet një histori në lidhje me një drejtues të Burimeve Njerëzore që qortonte një nga punonjësit se nuk performonte siç pritej. Çdo javë, ky drejtues e thërriste këtë punonjës në takim dhe i kujtonte të metat e tij. Ai kurrë nuk doli me një zgjidhje për ta ndihmuar atë.

Vetëm kur një tjetër specialist i Burimeve Njerëzore ndërhyri dhe e trajtoi këtë krizë, kompania më në fund e kuptoi pse ky punonjës nuk po performonte si duhej. Ata zbuluan se ky punonjës sapo kishte mbyllur një divorc me gruan e tij dhe kishte humbur fëmijët në betejën për kujdestarinë. Ai ishte gjithashtu i pastrehë dhe jetonte në shtëpinë e një shoku. Burimet Njerëzore më pas rekomanduan që të bënte disa javë pushim për të zgjidhur gjërat dhe ai u kthye me një energji të përtërirë në punë.

E shihni, pronarët e bizneseve që janë empatikë për punonjësit e tyre nuk do të zhgënjehen kurrë sepse ky është një pasion i tyre. Ju thjesht nuk mund të prisni që biznesi juaj të mbijetojë nëse nuk i ndihmoni punonjësit tuaj.

Përfundimi

Kohët janë të vështira për çdo sipërmarrës dhe një nga çelësat për të mbijetuar është të keni mentalitetin e duhur. Nëse mendoni se keni ndonjë nga këto shenja brenda jush, atëherë do të jeni një sipërmarrës i mirë. Nëse keni pasion dhe përpjekje për t'u bërë më të mirë dhe për t'i ndihmuar njerëzit të bëhen më të mirë, atëherë biznesi juaj do të vazhdojë të lulëzojë.