Blog

Pse çdo sipërmarrës ka nevojë për një mentor biznesi

Pse çdo sipërmarrës ka nevojë për një mentor biznesi

Në parathënien e artikullit të javës së shkuar, që mund ta gjeni këtu , një statistikë na tregonte se rreth 90% e bizneseve të reja, në pothuajse të gjitha industritë dështojnë, sepse nuk mjafton vetëm një ide e shkëlqyer. Rruga e ndërtimit të një biznesi të suksesshëm kalon përmes të papriturash, dhe përballja me to, shpesh shuan entuziazmin e fillimit. Bizneset që ja kanë dalë e po lulëzojnë, ka të ngjarë të kenë pas tyre mentorë ekspertë. Arsyet pse do të duhet të keni edhe ju mentorin tuaj, mund t’i gjeni në shkrimin këtu, me autor Scott Allen. Gjithmonë është dikush që ka më shumë përvojë se ju, dikush që ka njohuri ose ekspertizë në fushën tuaj. Gjejeni dhe merreni atë në rrugëtimin tuaj të veçantë. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Bota e sipërmarrjes është e mbushur me burime. Nga botimet online, te kolegët, miqtë dhe familja, këshillat për fillimin dhe drejtimin e një biznesi janë të shumta. Por një mentor biznesi i përkushtuar e me përvojë në fushën tuaj, mund të ketë ndikimin më të madh në rritjen e biznesit tuaj. 

Një marrëdhënie e vërtetë mentorimi është një rrugë me dy drejtime – mentori juaj mëson rreth strategjive të reja nga ju, ndërsa ju fitoni mençuri prej tij. Për më tepër, është një burim (zakonisht) falas për t'ju ndihmuar të filloni dhe të rritni biznesin tuaj. 

Megjithatë, që ta bëni të funksionojë, së pari, duhet të gjeni dhe të mbani një marrëdhënie me një mentor biznesi, dhe së dyti, të përdorni disa taktika, që janë çelësi i këtij suksesi.

Çfarë bëjnë mentorët e biznesit?

Mentorët e biznesit janë të domosdoshëm nga dita e parë për çdo sipërmarrës, nga pronari i biznesit e deri te drejtori ekzekutiv i afirmuar. Mentorët zakonisht janë ekspertë në fushën e tyre, shpesh duke u sjellë të mentoruarve të tyre dekada të tëra njohurish specifike dhe të industrisë.

Fitorja kryesore e ndërtimit të një marrëdhënieje mentorimi është udhëzimi unik dhe specifik që do të merrni. Larg këshillave të përgjithshme të përmbajtjes online ose të anëtarëve të familjes me qëllime të mira, mentorët i bazojnë këshillat e tyre në përvojat e jetës reale. Nga një anketë e vogël me klientët zbuluam se 88% e pronarëve të bizneseve që raportuan se kishin një mentor e vlerësonin atë si të paçmuar.

Mentorët ju motivojnë përmes udhëzimeve dhe burimeve të zbatueshme. Për shembull, ju mund të shkoni te një mentor për të kërkuar ndihmë për pasqyrat tuaja financiare. Një mentor i mirë jo vetëm që do të ofrojë përvojat e tij, por gjithashtu mund të ofrojë modele dhe një referencë te një kontabilist për hapat e mëtejshëm.  

Por mentorët sigurisht që përfitojnë edhe nga ndërveprimet e tyre me të mentoruarit. Shumë prej tyre i udhëzojnë sipërmarrësit që në një lloj mënyre t'i kthejnë diçka mbrapsht komuniteteve të tyre. Për më tepër, ata mund ta përdorin mundësinë për të udhëzuar një pronar biznesi më të ri si një mënyrë për të mprehur aftësitë e tyre të mësimdhënies ose të konsulencës.

Përfitimet e të paturit një Mentor biznesi

Mbajtja e një marrëdhënieje me një mentor biznesi mund të jetë hapi më i rëndësishëm që ndërmerrni në ndërtimin e sipërmarrjes suaj. Përfitimet janë të shumta, por ka disa gjëra të spikatura që një mentor sjell në tryezë. 

Ata janë një aleat që mund të mos e gjeni në shoqërinë tuaj 

Udhëtimi juaj si sipërmarrës është një udhëtim gjatë të cilit ndonjëherë mund të ndiheni të vetmuar dhe të pasigurt. Pasi të keni nisur biznesin tuaj, nuk keni një shef të cilit t'i drejtoheni për këshilla ose udhëzime. E thënë thjesht, ju jeni shefi dhe mund të mos keni ende asnjë punonjës.

Edhe pse po “fluturoni” vetëm, nuk keni pse të jeni plotësisht vetëm. Një mentor mund të ofrojë lidhje dhe mbështetje. Gjithkush ka nevojë për një këshillë të besueshme, një mendim të dytë dhe mbështetje emocionale kur kohërat vështirësohen (dhe do të vështirësohen).

Ata kanë "qenë atje dhe e kanë bërë këtë"

Ndoshta përfitimi më i dukshëm i gjetjes së një mentori biznesi është se mund të mësoni nga gabimet dhe sukseset e tyre të mëparshme. Roli i mentorit tuaj është të ndajë mësime nga përvoja e tij, me shpresën se ju mund t'i mësoni ato mësime me më shumë lehtësi. Nuk ka nevojë të përsërisni të njëjtat gabime që ka bërë dikush tjetër nëse ata mund t'ju udhëzojnë në një drejtim tjetër. 

Ata janë (zakonisht) të lirë

Gjetja dhe marrja e mbështetjes në fazat e hershme të biznesit tuaj shpesh kufizohet nga konsideratat financiare. Trajnerët dhe konsulentët mund të ofrojnë gjëra që një mentor nuk i ofron, por kjo vjen me një çmim që mund të arrijë në qindra mijëra. 

Marrëdhëniet me mentorët zakonisht janë të arritshme, pavarësisht kufizimeve tuaja financiare. Mentorët janë lehtësisht të disponueshëm dhe pa pagesë, ndonjëherë edhe përmes ndonjë organizate. Gjithashtu, ju mund të gjeni mentorë të disponueshëm përmes ngjarjeve të rrjetëzimit, shoqatave të industrisë ose faqeve online si LinkedIn.

Nëse takoni dikë në një event, bëni çmos të jepni më të mirën nga vetja dhe përqendrohuni fillimisht në ndërtimin e një marrëdhënieje me të – duke i ruajtur kërkesat për më vonë. 

Mund ta zgjeroni rrjetin tuaj social

Duke qenë një biznesmen me përvojë, mentori juaj ka të ngjarë të ketë një rrjet të gjerë në industri dhe departamente të ndryshme. Ata mund t'ju ofrojnë qasje në vendimmarrës shumë më të lartë sesa keni aktualisht në kontaktet tuaja, një tjetër përfitim i një marrëdhënieje të fuqishme mentorimi. 

Shumë mentorë do të ishin gjithashtu më të gatshëm ta hapnin atë rrjet për ju sesa për një të njohur rastësor nga një takim rrjetëzimi. Kjo është arsyeja pse bëhet kaq e rëndësishme të ruani marrëdhënien tuaj me një mentor – sepse ju nuk doni të keni një lidhje kalimtare. Kjo marrëdhënie duhet të jetë e dobishme për të dy ju, në krahasim me faktin që gjithmonë merrni dhe kurrë nuk jepni.

Mund të ndërtoni një marrëdhënie të besueshme dhe afatgjatë

Shumica e mentorëve nuk kanë asnjë motiv të fshehtë - asnjë shërbim ose produkt për t'ju shitur. I kombinuar me përvojën dhe cilësitë e tyre të tjera, kjo krijon një themel për besim, që rritet ndërsa marrëdhënia zhvillohet. Koha juaj me ta bëhet gjithashtu më efikase ndërsa ata njihen me ju, biznesin tuaj dhe stilin tuaj të të mësuarit.

Siç mund ta shihni, shpërblimet e të pasurit një mentor biznesi mund të jenë të mëdha dhe rreziku është minimal ose nuk ekziston fare. Ju keni gjithçka për të fituar duke gjetur dhe mbajtur një marrëdhënie me një mentor të mirë, një që jep aq sa duhet.